Në një ndeshje, në përgjithësi, të dobët Argjentina barazoi 1-1 me Islandën, duke i zhgënjyer shumë tifozët argjentinas, ndërkohë që, tani, lojtarët e saj janë mëse të ndërgjegjshëm se nuk kanë më të drejtë gabimi, kështu që atyre u duhet patjetër fitorja në ndeshjen me Kroacinë.
Media argjentinase publikoi sot disa foto nga seanca e djeshme stërvitore e kësaj përfaqësueseje dhe në qendër të vëmëndjes ishte Lionel Mesi. Por, në këto foto, ndërsa të gjithë futbollistët argjentinas dukeshin të qeshur dhe të relaksuar, vetëm Mesi tregohej i menduar dhe serioz, sikurse duket, duke qenë mjaft i ndërgjegjshëm për situatën e komplikuar, në të cilën ndodhet ekipi i tij.
Presioni mbi Argjentinën është shumë i madh dhe Mesi e ka edhe vetë të qartë se nuk ka se përse të kthehet në vendin e tij, nëse përfaqësuesja argjentinase del jashtë konkurrimit që në fazën e grupeve.
Sfidanti.al