Klose dhe Gnabri, dy debutimet e mëdha të Gjermanisë në San Marino

Ndeshja nuk ishte nga ato “të pamundurat”, përkundrazi. Gjithsesi, edhe në fushën e një kundërshtari modest si San Marino përballja ishte historike për Gjermaninë. Trajneri Joakim Lëv, tashmë me kontratë të zgjatur, pati dy debutime, atë të Miroslav Kloses në stol dhe të Serge Gnabrit në fushë. I pari, ish-sulmuesi i mrekullueshëm i “pancerëve”, ndërsa i dyti një djalë i ri i blerë këtë sezon nga Verderi.

Klose shpreson që Gnabri të jetë pasardhësi i tij në kombëtare, pasi Gjermania ka vuajtur për një sulmues goli si ai. Gnabri nuk zhgënjeu, pavarësisht se ishte e lehtë të mos zhgënjente. Ish-lojtari i Arsenalit shënoi 3 gola në debutim, diçka që nuk ndodhte prej 40 vjetësh, që nga koha e Diter Mylerit. Gjermania fitoi 8-0 dhe trajneri Lëv besohet se po gjen edhe atë pjesë të “mozaikut” që i mungonte, pikërisht pasardhësin e Kloses si qendërsulmues.
B.Kuka