Klubi i Romës, në fund të kësaj jave, do të përforcohet me një lojtar tjetër të mirë. Mbas angazhimit të Ivan Markanos të Portos dhe të futbollistit të shkëlqyer Brajan Kristante, në “qytetin e përjetshëm” pritet që të vijë shumë shpejt edhe tinejxheri i talentuar Xhastin Klajvert, i biri i futbollistit të famshëm holandez, Patrik Klajvert, që, deri tani, ka luajtur me Ajaksin e Amsterdamit. Marrëveshja mes dy klubeve, tanimë, është nënshkruar dhe Klajveri i ri do t’i kushtojë Romës 15 milionë euro plus pesë milionë euro si bonus dhe përqindja nga shitja e radhës e këtij futbollisti të ri të shkëlqyer.
Xhastin Klajvert është vetëm 18 vjeç, por ai ka dy vite që luan në formacionin e parë të Ajaksit. Për të janë interesuar Mançester Junajtidi dhe Barcelona, por Klajverti zgjodhi Romën që po bën një ekip të fortë për sezonin e ardhshëm. Krahas tre përforcimeve të reja, në “radarin” e Romës ndodhen edhe disa futbollistë të rinj të tjerë. Paralajmërohet se, gjatë kësaj vere, ka mundësi që nga Roma të largohen lojtarët me përvojë Naingolan dhe Strotman, si edhe portieri brazilian, Alison Beker.
Sfidanti.al