Luftëtari befason edhe kur nuk është në fushë, edhe kur topin nuk është nën pushtetin e Abazaj apo të Bregut. Trajneri Hasan Lika, ai që mori shumë pak komplimente për vazhdimin e “magjisë” në lojë të Luftëtarit, të cilin e ngjalli me inteligjencë serbi Milinkovic, nuk do të jetë më trajner. Nuk e besoni, ju duket si shaka ? Vulën ia ka vënë presidenti Tavo këtij vendimi, që duket më shumë si lajthitje vere se sa një lajm i shëndosh. Edhe pse Luftëtari dhe Lika kanë kombinuar më së miri, krijuan një amalgamë me stil fituesi, prapëseprapë, nuk paska mjaftuar! Çfarë donte më shumë në “tavën” e lojës zoti ..Tavo? Sipas zakonit të vjetër të trajnerëve shqiptarë, që largohen të lumtur edhe kur tradhëtohen, Lika ka dhënë disa shpjegime të buta, aspak konkrete si loja e ekipit të tij, ka formuluar disa fraza që duket sikur kanë mirënjohje te sforcuar, edhe pas një akti pa..mirënjohje!
Fjalet e Hasanit nuk mjaftojnë: “Fakti që nuk më pyetën për lojtarët, se kush duhet të qëndrojë dhe kush duhet të largohet deri më 31 maj, natyrisht që e kuptova se si do të shkonin punët. I mirëkuptoj drejtuesit, sepse kështu funksionon. Në Gjirokastër kanë ardhur shumë menaxherë, qoftë për lojtarë, ashtu edhe për trajnerë gjatë muajve të kaluar. Ashtu siç shkova unë te Luftëtari, mund të vejë edhe dikush tjetër, ky është zanati ynë. Por, mbi të gjitha mua më vjen mirë që arritëm diçka pozitive. Nuk kam çfarë të komentoj më tepër”, ka thënë fillimisht Lika, për të shprehur më pas mirënjohjen për ambientin në Gjirokastër.
“Gjej rasti t’i falënderoj të gjithë, duke filluar nga presidenti Tavo, tifozët dhe futbollistët. Jam i lumtur që edhe tifozët gjirokastritë kanë shprehur mirënjohje ndaj punës time”, – theksoi 58-vjeçari. I pyetur për të ardhmen, Lika pranoi se nuk ka asgjë konkrete, ndërsa e mbylli me batutë. “Ku i dihet, mund të më kërkojë Mançesteri apo Çelsi”.
Sfidanti.al