Finalja e NBA-së? Golden Stejt-Klivlend, çfarë mund të jetë tjetër!

Përvoja është thuajse vendimtare edhe në sport, dhe duhet kohë e gjatë për ta mposhtur. Pas Boston Sëlltiksit, edhe Hjuston Rokits kuptoi se ende nuk kishte ardhur momenti për një “kryengritje” të suksesshme ndaj dy dinastive sunduese në NBA, Klivlend Kavaliers e Golden Stejt Uorriors. Dy skuadrat do të ndeshen për herë të katërt radhazi në finalet e basketbollit amerikan, seria më e gjatë në të gjithë historinë.

Golden Stejti e siguroi “biletën” e finales mbrëmjen e fundit në fushën e Hjustonit, ndihmuar nga katërshja e vet e madhe, por edhe nga mungesa po kaq e madhe e Kris Polit për vendasit. Kampionët në fuqi të NBA-së ia dolën 101-92, por vetëm pasi reaguan pas pushimit. Pjesa e parë e tyre ishte tepër e keqe.

Kevin Durant shënoi 34 pikë, Stefën Kërri u përgjigj me 27 pikë, 9 topa në tabela, 10 asistë, 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, kapiteni Tompson shtoi 19 pikë, ndërsa Drejmond Grin ishte si zakonisht me 10 pikë, 13 topa në tabela e 5 asistë.

Hjustoni dështoi në armën më të fortë, gjuajtjet për tri pikë, duke humbur 27 të tilla radhazi, e duke shënuar vetëm 7 në 44! Xhejms Harden vërtet shënoi 32 pikë (6 topa në tabela, 6 asistë, 4 vjedhje topi), por gaboi shumë në gjuajtje. Erik Gordon, Klint Kapela e Taker bënë maksimumin, por Hjustoni nuk pati “thellësinë” e duhur për të përballuar kundërshtarin.

Finalet e NBA-së do të nisin duke u gdhirë e shtuna në Shqipëri, dhe ndeshja e parë do të jetë në Oklend, në fushën e Golden Stejtit.

Sfidanti.al