Arian Ademi (shqiptar Maqedonie) dhe Dinamo e tij e Zagrebit e “vulosën” dominimin e tyre në futbollin kroat, pasi triumfuan edhe në Kupën e Kroacisë, pasi, pak kohë më parë, fituan edhe kampionatin kroat, duke mundur 1-0 në finale të saj rivalin e përjetshëm të vet, Hajdukun e Splitit. Megjithatë, ashtu sikurse edhe pritej, finalja e mësipërme e Kupës që u luajt në Vinkovci, u shënua nga disa incidente seriozë. Trazirat filluan në një nga tribunat, ku ndodhej grupi famëkeq i tifozëve “Torcida” që u përleshën me policinë, madje lënduan edhe një polic, duke e goditur atë me një pishtar të ndezur. Ministria e Brendshme e Kroacisë publikoi, me këtë rast, komunikatën vijuese:
“Për shkak të shkeljeve të ndryshme që janë në kundërshtim me ligjin përkatës, gjatë ndeshjes u ndaluan 36 veta, sepse shkaktuan trazira. Shumë prej tyre ishin të dehur, ndërsa ata ofenduan dhe u konfrontuan me policinë. Në min. e 66-të, ata hodhën pishtarë të ndezur në drejtim të policëve dhe në fushë, ndërkohë që njëri prej tyre goditi një ruajtës rendi, duke e lënduar atë”.
Sfidanti.al