Napoli i entuziazmuar: profesor Ançeloti po bën “ekipin e ëndrrave”

Që tani, në Napoli filloi edhe zyrtarisht epoka e Karlo Ançelotit që nënshkroi një kontratë trevjeçare me këtë klub, ndërkohë që ai po hap rrugën për sjelljen e përforcimeve të reja, disa prej tyre me emra të mëdhenj. Mediumet italiane kanë arritur që të zbulojnë se cilët futbollistë i ka kërkuar trajneri i ri presidentit të klubit napolitan, De Laurentis, për sezonin e ardhshëm.

Fjala është për katër yje, me të cilët Napoli, gjatë sezonit të ardhshëm, do të mund të luftojë në të tre frontet. Objektivi i parë është braziliani David Luiz i Çelsit që është gati të ndërrojë mjedis, pasi deri tani, nën Antonio Konten, më shumë “ngrohu” stolin e rezervave, ndërsa Ançeloti i njeh mirë cilësitë e tij. Përforcimi më i madh në mesfushë pritet që të jetë Arturo Vidal që pritet të mos ta vazhdojë kontratën me Bajernin e Mynihut dhe që me siguri do të largohet nga klubi bavarez që është gati ta shese atë, nëse i vjen një ofertë prej 50 milionë eurosh që Napoli është gati ta paguajë.

“Gazeta del Sport” shkruan se transferimi i Susos nga Milani është një punë e mbaruar, pasi Napoli është gati që ta paguajë klauzolën e shitblerjes së tij prej 40 milionë eurosh.

Sulmi i Napolit, ndërkohë, pritet që të forcohet me yllin e ri italian, Federiko Kiesa, që ka shkëlqyer te Fiorentina dhe konsiderohet si një “meteor në ngjitje”.

Nëse Ançeloti do ta arrijë që t’i sigurojë futbollistët e lartpërmendur, ndërsa zotëron edhe mjaft lojtarë të tjerë cilësorë që i ka gjetur atje, atëherë, Napoli ka shumë mundësi që sezonin e ardhshëm të bëhet “i tmerrshëm”!.

Sfidanti.al