“Ringjallet” Stef Kërri, Golden Stejti shkatërron Hjustonin

Kjo është e mira kur ke shumë kampionë në skuadër. Stefën Kërri po kritikohej në dy ndeshjet e para finale të Perëndimit në NBA ndaj Hjustonit, dhe Golden Stejti po mbahej në këmbë nga Kevin Duranti. Pas kritikave dhe kur seria e plej ofit u zhvendos për në Kaliforni, basketbollisti me numrin 30 u ringjall në mënyrë radikale dhe ishte vendimtar.

Ai shënoi 35 pikë dhe kapi 6 topa në tabela, realizoi pesë tripikësha dhe ishte 57 për qind i saktë në gjuajtje, duke ndihmuar kampionët në fuqi të Amerikës që të shkatërronin Hjustonin, në gjithë kuptimin e kësaj fjale. Përfundimi ishte 126-85, plot 41 pikë diferencë ndaj skuadrës më të mirë në NBA gjatë sezonit të rregullt. Ishte fitorja më e thellë e Golden Stejtit në plej of, por gjithçka u arrit në pjesën e dytë, kur “shpërtheu” Kërri.

Kevin Durant nuk është se mbeti prapa, shënoi 25 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe vodhi një top, ndërsa Drejmond Grin shkëlqeu me 10 pikë, 17 topa në tabela e 6 asistë. Së fundi, Uorriorsi pati edhe kapitenin Klej Tompson që këtë herë ishte më i qetë, me 13 pikë, 3 asistë, 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh.

Xhejms Harden shënoi vetëm 20 pikë për Hjustonin, Kris Pol e Klint Kapela nga 13. Golden Stejti theu rekordin e NBA-së për më shumë fitore radhazi në shtëpi, në plej of, me 16 të tilla, ndaj 15 që ishte rekordi i Çikagos së Majkëll Xhordanit. Ndeshja e katërt luhet po në Oklend.

Sfidanti.al