Mançester Junajtidi pësoi një humbje të papritur ndaj Brajtonit që, duke fituar 1-0, siguroi mbijetesën në Premier Ligë, ndërsa duhet të theksohet se të gjithë “djajtë e kuq” luajtën keq, por trajneri Zhoze Murinjo fajin për humbjen ua ngarkoi sulmuesve të tij. Ai u dha shans që të luajnë në formacion Markus Rashfordit dhe Antoni Marsialit, por të dy ata luajtën nën mundësitë e tyre, madje, aq keq, saqë e nervozuan “Specialin”.
“Futbollistët që iu dha mundësia të luanin në vend të tjerëve, nuk e shfrytëzuan këtë mundësi dhe, kur ndodh që disa individë luajnë keq, këtë e ndjen i gjithë ekipi. Ju më pyesini vazhdimisht mua se përse unë, gjithnjë, përfshij në formacion Lukakun? Besoj se tani të gjithë e kanë të qartë se përse”, vuri në dukje Murinjo.
Në fakt, humbja ndaj Brajtonit nuk solli asnjë ndryshim, pasi Junajtidi, tanimë, e ka siguruar pjesëmarrjen në Champions-in e ardhshëm, por, sidoqoftë, tani është e qartë Mutinjo ka shumë mundësi që të mos mbështetet te shërbimet e Rashfordit dhe të Marsialit në finalen e ardhshme të FA Kupës me Çelsin, më 19 maj.
Sfidanti.al