Xhoshua-Uajlder, një sfidë që mund të vlejë 80 milionë euro

Nuk është në nivelet e Flojd Mejuedhër të Riut, por padyshim është një duel i nivelit të lartë edhe financiar. Entoni Xhoshua-Diontei Uajlder pritet të jetë sfida e madhe e radhës e peshave të rënda të boksit profesionist, ndërsa niveli i shpërblimit për të dy rivalët mund të arrinë në 80 milionë euro apo edhe më shumë.

Mediat britanike bëjnë me dije se përfaqësuesit e Xhoshuas po bisedojnë me ata të Uajlderit, dhe se këto bisedime janë në fazë të përparuar. Përfaqësuesit e boksierit anglez duan dy ndeshje, nga të cilat e para, sipas tyre, duhet të zhvillohet në shtator në stadiumin “Uembli” të Londrës. Ndeshja e dytë, ndoshta mund të jetë në Amerikë.

Nga kampi i amerikanit Uajlder vijnë njoftime se ata kanë hedhur poshtë një ofertë për një shpërblim prej rreth 10 milionë eurove, pasi padyshim që duan më shumë. Dueli që pritet të zhvillohet, do të jetë për unifikimin e titujve botërorë në peshat e rënda. Xhoshua ka brezat e artë të federatave IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Uajlder ka brezin e artë WBC.

Sfidanti.al