Çfarë transformimi ka pësuar kjo skuadër. Partizani i sotëm nuk të kujton aspak atë ekip të çoroditur të disa javëve më parë, dhe jo vetëm fiton, por edhe e bën duke impnuar lojën e tij. Nën drejtimin e trajnerit Klevis Dalipi, fillimisht pak të vlerësuar, kryeqytetasit fituan në fushën e vështirë të Kamzës, dhe u bashkuan me Laçin e vendit të tretë në renditjen e Superligës.
Edhe pse nuk ishte aspak e thjeshtë, ndaj një ekipi që tashmë rrezikon të bjerë nga kategoria, sërish Partizani ishte që në fillim më ofensiv, i vendosur të arrinte objektivin e sezonit, kualifikimin për në Ligën e Europës. Dënimi potencial i Skënderbeut pritet t’ia lehtësojë punën, por gjithsesi, Dalipi nuk pret dhurata, por kërkon që atë që i duhet ta arrijë vetë.
Sidoqoftë, fitorja nuk erdhi lehtë, përkundrazi, vetëm në minutat e fundit. Trajneri mik pati edhe meritën e madhe, ndoshta edhe fatin, që goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga një lojtar që ai e hodhi në fushë si zëvendësues vetëm pak minuta para avantazhit. Braziliani Kardozo shfrytëzoi gabimin e një mbrojtësi, por edhe klasin e tij për të krijuar një gol nga asgjëja.
“Skuadra ime është e fortë dhe i ka lojtarët e duhur, – tha me modesti Dalipi pas takimit, – duhej të prisnim momentin sepse ishte ndeshje e vështirë, dhe lojtarët që hynë nga stoli na ndihmuan. Sidomos Lukasi (Kardozo), por edhe Çani”.
Të kuqtë kanë sot më në fund një skuadër me thellësi, pra me shumë alternativa, tani që edhe Edgar Çani mubnd të aktivizohet më shpesh, dhe ndoshta nuk do ta ndjejë shumë mungesën e Trashit, që do të jetë i pezulluar për takimin e ardhshëm ndaj Laçit.
Gjithsesi, kapiteni Batha, ia jep meritën Dalipit. “Është e njëjta skuadër që ishte me Starovën, por Dalipi ka më shumë dëshirë dhe lojtarët tani janë pa presion, ndaj po luajnë më mirë, – u shpreh ai, – objektivi ynë, me dënimin e Skënderbeut, është të kapim vendin e dytë dhe të shkojmë në Champions”.
Në renditje, Partizani ka tani 42 pikë, po aq sa kurbinasit, me të cilën do të luajë një sfidë direkte për Europën. Falë këtij suksesi, kryeqytetasit janë shkëputur disi nga pretendentët e tjerë për kompeticionet kontinentale, si Luftëtari apo Flamurtari. Kamza, ndërkaq, mbetet në 34 pikë, vetëm 5 pikë larg vendit të parafundit që të zbret në Kategorinë e Parë.
Sfidanti.al