Zaneti është i bindur: Interi do të luajë në Champions

Nënpresidenti i Interit, Havier Zaneti, është i bindur se ky klub milanez do ta realizojë qëllimin e vet dhe, sezonin e ardhshëm, do të luajë në Champions. Zikaltërit synojnë që të bëjnë pjesë në katërshën e parë të Serisë A dhe, momentalisht, ndodhen në një pozicion që i lejon ata të shpresojnë realisht, duke qenë se ndodhen në vendin e 4-t me 55 pikë, por, sidoqoftë, shumë pranë ndodhen Lacio – me 54 pikë dhe Milani me 50 pikë, kështu që sesi do të shkojnë punët deri në fund, ende nuk dihet.

“Të gjithë e kalojnë një periudhë të vështirë dhe ne e kaluam atë, tanimë. Rëndësi ka që të dish sesi ta tejkalosh atë, se ekipi është në gjendje që ta bëjë këtë. Ndeshjet derbi janë gjithnjë përcaktuese, por ne, tani për tani, jemi përqëndruar te Verona dhe, më pas, do të fillojmë të përgatitemi për Milanin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Zaneti.

Ndeshja e Interit me me Veronën do të zhvillohet, më 31 mars, kurse derbi me Milanin – më 4 prill.

Sfidanti.al