Nuk është vetëm rekordmen për titujt dhe për mënyrën e menaxhimit. Juventusi, pasi u bë i pari klub në Itali që ndërtoi stadiumin e tij, do të bëhet po i pari që të ketë hotelin e tij. Këto risi apo rekorde, që në Angli, Gjermani e Spanjë nuk janë aspak të tilla, po i fut në Itali, pikërisht Juvja. “J Hotel” është emri dhe projekti me 4 yje që do të ndërtohet pak qindra metra larg stadiumit “Juventus”, dhe do të ketë 138 dhoma, një pjesë e madhe e të cilave do të jenë për publikun, pra për njerëz që duan të kalojnë natën aty.
Juventusi, natyrisht, do të ketë një pjesë të hotelit për vete, ndërsa nuk do të jetë larg kompleksit stërvitor. Hoteli do të ketë restorantin me 200 vende, një kuzhinë të rëndësishme italiane dhe ndërkombëtare, si dhe do të ofrojë shumë shërbime të tjera. Juventusi do të jetë pronar me aksione 40 për qind.
Sfidanti.al