Idhulli ishte një tjetër, por tashmë numri 1 është ai. Robert Levandovski u bë shënuesi më i mirë i huaj i Bajernit në historinë e Bundesligës, duke thyer rekordin e mbajtur nga legjenda braziliane, Zhovane Elber. Sulmuesi polak ia arriti me tregolshësin realizuar ndaj Hamburgut, në ndeshjen që bavarezët e fituan 6-0 në “Alianc Arena” të Mynihut.
Levandovski ka tani 142 rrjeta ndaj 139 të Elberit, me dy lojtarët që ishin baraz deri përpara takimit të kësaj fundjave, ndërsa humbi edhe një penallti katër minuta para fundit të takimit. i mbiquajturi Leva e arriti më shpejt rekordin sesa braziliani. Për 142 gola atij iu deshën vetëm 182 ndeshje, ndërsa paraardhësi i tij pati nevojë për 265 takime. Levandovski ia doli në më pak se 4 sezone, ndërsa Elberi në plot 6 edicione.
Shpresa e madhe e tifozëve të Bajernit është që polaku të mos largohet për tek Reali, ashtu siç besohet se mund të bëjë sezonin e ardhshëm. Suksesi i bavarezëve u arrit jo vetëm falë Levës, por edhe për meritë të dy veteranëve të shquar. Frank Riberi shënoi dy gola, ndërsa Arjen Roben shtoi një.
Kjo fitore bëri që skuadra e trajnerit Jup Hajnkes të ketë tani 66 pikë në 26 ndeshje të Bundesligës, ndërsa ka shënuar plot 65 rrjeta. Titulli kampion padyshim që do të mbrohet edhe këtë vit, pasi Shalke e vendit të dytë është 20 pikë prapa, ndërsa të gjitha fuqitë do të përqëndrohen tek Liga e Kampionëve.
Sfidanti.al