Ekspansioni i futbollit në Kinë, midis të tjerave, ka bërë që të korrigjohen orarët e ndeshjeve derbi në Evropë, duke e zhvendosur fillimin e tyre nga mbrëmja në mesditë! Kështu, derbi më i madh në botë, “El Klasikoja” spanjolle, u luajt në mesditë, në orën 12:00, në Madrid. Kjo ishte hera e parë që dueli Real Madrid – Barcelona luhej në mesditë dhe shkaku ishte i thjeshtë: pazari dhe auditoriumi kinez në vendin më popullsinë më të madhe në botë ushtruan presion që kjo ndeshje të luhej në atë kohë, kur ishte e përshtatshme për njerëzit në Kinë.
Shembullin e Realit dhe të Barcelonës, tani, pritet që ta ndjekin edhe në Francë. Krerët e federatës franceze kanë vendosur që të heqin dorë nga rregulli që ndeshjet derbi të luhen në prajm tajm (prime time), pra, në mbrëmje, por edhe në mesditë, kështu që dueli mes Nisës dhe PSZH-së do të nisë në orën 13:00. Të gjithë e kanë të qartë arsyen se përse ky derbi francez do të luhet në mesditë, sepse atë duan ta shohin kinezët që “luajnë mendsh” mbas Nejmarit, Mbapes dhe Balotelit. Sidoqoftë, të parët që nisën t’i fillonin ndeshjet derbi në mesditë, ishin italianët që, sezonin e kaluar, derbin “urban” Milan-Inter e nisën në orën 12:30.
Kështu, si po shkojnë punët, ka mundësi që, një ditë, edhe terminet e ndeshjeve të Champions-it evropian të zhvendosën në mesditë, që ato t’u përgjigjen më shumë tifozëve kinezë sesa atyre evropianë!
Sfidanti.al