Lebron dhe Klivlendi, në garë për ndeshjen më të keqe të vitit

Nuk i kishte ndodhur kurrë të pësonte dy humbje radhazi me mbi 25 pikë diferencë. Nuk i kishte ndodhur, po ashtu, që të merrte dy vlerësime negative radhazi, -39 e -22! Ja që ka një herë të parë dhe Lebron Xhejmsit i ngjau kështu, në të njëjtin sezon kur përjetoi përjashtimin e parë në karrierë nga një ndeshje.

Superylli i basketbollit botëror pësoi një disfatë turpëruese ndaj rivalëve për kreun e Konferencës Lindore, Toronto Raptors, duke dalë nga fusha me shirat 99-133, pra -34. Në duelin e mëparshëm, Kavaliersët u shkatërruan me -28 pikë humbje nga Minesota, ndërsa Xhejms nuk arriti ta mbante veten pa u vërsulur kundër shokëve të skuadrës.

Disfata e rëndë në Kanada ndodhi edhe pse vendasit nuk kishin dy prej lojtarëve të tyre më të mirë, Kajl Louri dhe Serge Ibaka, për dëmtim dhe pezullim. Lebron nuk arriti të shkëlqente edhe aq, me vetëm 26 pikë në 32 minuta, 3 topa në tabela, 1 asist (!!!), 1 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. “Secili prej nesh do të marrë vlerësime për mënyrën sesi po luajmë, sesa fort po luajmë, dhe sesa shumë po bëjmë për njëri-tjetrin”, – u shpreh kampioni i madh, tepër i dëshpëruar.

Boston Sëlltiks kryeson Konferencën Lindore me 34 fitore e 10 humbje, ndërsa Klivlendi është në vend të tretë (pas Torontos) me 26 fitore e 15 humbje.

Sfidanti.al