“Shtëpia e futbollit botëror” ndodhet në prag të një skandali të ri, pasi një novator (shpikës) nga Brazili ka fituar një çështje gjyqësore kundër FIFA-s që mund t’i shkaktojë kësaj të fundit humbjen e plot 100 milionë dollarëve, për shkak të përdorimit në fushat e futbollit të sprajit “magjik”. Në ndeshjet që zhvillohen në Amerikën Latine, ka vite që përdoret spraji “magjik” që avullon disa minuta, pasi gjyqtarët shënojnë me të vendin se ku do të vendoset barrikada e lojtarëve ose pika e bardhë, nga ku do të gjuhet topi. FIFA vendosi që ta përdorte atë për herë të parë në Mundialin e Brazilit, ku spraji, menjëherë, filloi popullaritet dhe u bë pjesë përbërëse e shumë kampionateve anekënd botës.
Por, tani, FIFA ndodhet në prag të një skandali të ri, sepse, për shkak të sprajit “magjik”, asaj mund “t’i avullojnë” 100 milionë dollarë! “Novatori” nga Brazili, Heine Alemanje, ka vite që ka hapur një çështje gjyqësore, në përpjekje që të provojë se spraji “magjik” ëshë novacion (shpikje) e tij dhe se atij i takon që të marrë shpërblimin financiar përkatës. Një gjykatë e Rio De Zhaneiros ia quajti (pranoi) Alemanjes patentën e shpikjes së sprajit në fjalë që po përdoret në 44 vende të botës, kështu që shpikësi i lartpërmendur brazilian, tani, kërkon si dëmshpërblim nga FIFA 100 milionë dollarë (afro 85 milionë euro).
Sfidanti.al