Kukësi i Milinkoviçit prek fundin, e mund në shtëpi edhe Lushnja e vendit të fundit!

Nuk ishte momenti për të humbur, madje as për të lënë pikë. Pavarësisht krizës, askush nuk besonte se Kukësi kampion do të pësonte disfatë në shtëpi me Lushnjen e vendit të fundit, por pikërisht kjo ndodhi. Skuadra e drejtuar nga Mladen Milinkoviç u mposht 1-3 duke e vënë edhe më shumë në rrezik objektivin minimal të sezonit, kualifikimin për në Ligën e Europës nga Superliga.

Paraqitja ishte e tillë që nuk mund të thuhej me siguri nëse ishte vetë skuadra që luajti ashtu për të larguar trajnerin, apo i tillë është kapaciteti i kampionëve të Milinkoviçit. Myzeqarët luajtën si në shtëpinë e tyre, krejt ndryshe nga përballja e kaluar kur u mundën në Lushnje 0-3 nga Partizani. Kaluan në avantazh me anë të Prençit, patën raste, dhe nuk u tronditën aspak kur Kukësi barazoi me nisjen e pjesës së dytë. Golit të Bakajt iu përgjigj veterani Sefa. Kapiteni lushnjar, sulmuesi kryesor i ekipit realizoi dy herë, duke e bërë të sigurt fitoren dhe duke i dhënë shpresë skuadrës së trajnerit Hysen Dedja se mund të luftojë edhe për mbijetesë. Edhe pse në vendin e fundit, Lushnja nuk është shumë larg zonës që të mban në Superligë.

Sa për Kukësin, ky mund të quhet fillimi i fundit. Do të jetë e vështirë që kjo skuadër të arrijë Europën, duke pasur parasysh rivalitetin me Kamzën, Flamurtarin, Partizanin dhe pse jo edhe me Laçin.

Sfidanti.al