Hajnkes pa kontratë tek Bajerni, trajneri tregon me gisht të ardhmen

Shumë shpesh, në jetën me shpejtësi skëterre të kohëve moderne, njeriu nuk do gjë tjetër veçse të ulet e të pijë një kafe, një gotë birrë apo verë, dhe të bisedojë me ndonjë shok, sapo gjen kohën e lirë. i tillë është stresi që hiqet me këto antistrese, dhe shpesh gjëra të rëndësishme mbeten pa u bërë edhe pse nëse bën llogarinë, kohën për to mund ta gjesh, por jo nervat.

Jup Hajnkesi, trajneri i Bajernit, ka hequr nga lista e gjërave më të domosdoshme diçka që për këdo punëmarrës është si “oksigjeni”, firmosjen e kontratës me punëdhënësin e tij, klubin bavarez. “Shefat më thonë eja dhe firmos, – shprehet 72-vjeçari, – por, nuk e kam gjetur kohën deri tani”. Kanë kaluar dy muaj që kur Jupi mori drejtimin e skuadrës, por koha nuk dihet se kur do të gjendet.

Sidoqoftë, në rastin e Hajnkesit kemi të bëjmë më shumë sesa me dëshirën për të mos menduar për punën në çdo moment. Edhe në 2009-ën, kur ishte 8 vjet më i ri, ai punoi për disa javë si trajner i Bajernit pa firmosur kontratë. “Nuk kam nevojë të firmos letrat me Uli Hënesin, – tha ai atëherë, – mjafton të shtrëngojmë duart dhe ai e di se çfarë duhet të bëjë për mua”. Duket se Jup Hajnkes, me personalitetin, karakterin dhe formimin e tij të thellë si njeri dhe profesionist, po u tregon të ardhmen profesionistëve të tjerë të futbollit, atë të ardhme kur njeriu do të ketë çdo të mirë normale materiale që do t’i duhet, ndërsa do të punojë vetëm për të plotësuar veten nga ana profesionale dhe nga ana e kënaqësisë njerëzore.

Sfidanti.al