Le ta nisim me dyshen shqiptare të Beneventos. Berat Gjimshiti e Ledian Memushaj ishin që të dy në fushë në një ndeshje që pritej të ishte e ndryshme nga të tjerat, dhe që vërtet ishte me përjashtim të rezultatit. Gjimshiti luajti 90 minuta, ndërsa Memushaj 73, ndërsa fati nuk ishte me skuadrën e tyre që pësoi humbjen e 10-të në 10 ndeshje të Serisë A, këtë sezon. Memushaj ishte mjaft aktiv dhe rrezikoi, ndërsa Benevento u duk se do të merrte pikën e parë në ndeshjen e parë me trajnerin e ri, De Çervi. Golin e Paolo Faragos e barazoi në 94’, Iemelo me penallti. Nuk kishte përfunduar pasi në 95’, Pavoleti hidhet në zhytje me kokë dhe i jep fitoren Kaljarit, të parën pas 5 humbjeve radhazi.
Shqiptarët patën edhe të tjerë protagonistë në ndeshjet e Serisë A. Elseid Hysaj shkëlqeu me Napolin duke luajtur shumë mirë për 90’, dhe duke iu afruar golit personal. Napolitanët janë në krye të kampionatit me fitoren 3-2 në “Marasi” ndaj Xhenoas vendase.
Ndër portierët shqiptarë, luajti vetëm njëri, Tomas Strakosha. Ai ndihmoi Lacion në fitoren e vështirë, por shumë të rëndësishme në fushën e Bolonjës, që solli edhe rekordin e pikëve për lacialët nëpër kampionate, 25. Etrit Berisha këtë herë u la në stol, ndërsa titullar luajti Golini, me Atalantën që mundi 3-0 Veronën, ndonëse trajneri Gasperini nuk është se u kënaq shumë me lojën.
Sfidanti.al