Jo Mesi apo Nejmari, fiton “goditja e akrepit” nga Zhiru!

Olivie Zhiru nuk duket nga ata lojtarë që mund të fitojnë Çmimin Pushkash. Ky vlerësim u jepet, nga FIFA, atyre që shënojnë golin më të bukur të vitit, dhe Zhiru nuk mendohet se ka klasin e nivelit të Mesit apo Nejmarit, sa për të përmendur dy emra. Gjithsesi në 2017, ishte goli i tij që u shpall më i bukuri.

Sulmuesi francez fitoi Çmimin Pushkash në Londër, për rrjetën me thembër nga pas shpine shënuar për Arsenalin ndaj Kristal Palasit, në Premier Ligë. Goditja që njihet me emrin “gjuajtja e akrepit” sfidoi dy gola të tjerë të shkëlqyer. Njëri u shënua nga portieri Masuluke, që barazoi rezultatin në minutën e fundit, në ndeshjen Baroka-Orlando Pajrëts (Pirats), duke realizuar me roveshatë në një largësi gati 15 metra nga porta. Goli tjetër u shënua nga mesi i fushës, në pasimin e dytë pasi u vu topi në lojë, shënuar nga futbollisti i Venezuelës U17, Kastelanos. Lojtari shënoi në minutën e fundit, menjëherë pasi Kameruni U17 kishte barazuar rezultatin.

Sfidanti.al