Harri Kejn dihej që ishte objektiv i Realit të Madridit, por mediat spanjolle shkruajnë edhe për një emër tjetër. Ky është Dele Ali, ylli i ri, po i Totenhemit. Trajneri Zinedin Zidan gjithsesi do të duhet të zhvillojë një “El Klasiko”, të paktën për 21-vjeçarin, i cili kërkohet edhe nga Barcelona. Ali është një talent që spikati shumë sezonin e kaluar dhe mosha e tij e re e bën edhe më të vlefshëm. Barcelona pritet të përqëndrohet tek Ali nëse Kutinjo nuk do të mundet të largohet nga Liverpuli (thuhet, madje se Nejmar e ka këshilluar të mos shkojë tek Barça). Kejn, 24-vjeçar, për momentin është “vetëm i Realit”. Trajneri Valverde nuk ka shprehur ende ndonjë interesim për sulmuesin që ka shënuar 15 gola në 10 ndeshje këtë edicion, dhe që mund të kushtojë shumë më tepër sesa 100 milionë euro.
Sfidanti.al