Një gabim i heq Skënderbeut një fitore të madhe europiane!

Një gabim në mbrojtje në minutën e 73-të i hoqi Skënderbeut një fitore të madhe dhe, besohet të merituar, në Ligën e Europës. Prapavija korçare, në lartësinë e detyrës deri në atë moment, harroi Asalen të vetëm në zonë, dhe lojtari i Jang Bojsit nuk gaboi, duke barazuar rezultatin në “Elbasan Arena”.

Përballja e dytë e grupit ishte e fortë, dhe formacioni i trajnerit Ilir Daja i qendroi mirë një kundërshtari me shumë më tepër cilësi dhe krijuar me buxhet shumë më të lartë sesa ai shqiptar. Rastet ishin aty-aty, por kjo nuk ishte pak pikërisht për diferencat aspak të vogla mes dy rivalëve.

Me pak më shumë fat, tani Skënderbeu do të ishte i sigurt në vendin e dytë në grup, ndihmuar në pretendimet e veta për kualifikim, nga fitorja me përmbysje e Dinamos së Kievit në Beograd ndaj Partizanit.

Skënderbeu kaloi i pari në epërsi me golin e shënuar nga sulmuesi Ali Soue në minutën e 65-të, pas një topi të shkëlqyer të Muzakës, dhe veprimi shumë të bukur personal, pasi për më shumë se një orë luajti me shumë pjekuri ndaj kryesueses së Superligës së Zvicrës. Nuk ishte e lehtë të realizohej plani i Dajës ndaj një ekipi shumë të fortë fizikisht dhe taktikisht, aq më tepër të luhej në një nivel për 90 minuta.

Skënderbeu, për fat të keq, mbetet në vend të fundit në grup me vetëm 1 pikë, po aq sa Partizani i Beogradit, ndërsa Jang Bojsi është vetëm pak më lart, me 2 pikë.

Rezultatet: Skënderbeu-Jang Bojs 1-1, Partizan Beograd-Dinamo Kiev 2-3. Dinamo 6 pikë, Jang Bojs 2, Partizan 1, Skënderbeu 1.

Sfidanti.al