Skënderbeu mposht 2-0 rivalin kryesor, Partizanin, Superliga ka një dominues të frikshëm!

Duhet thënë që në fillim se gjithçka ishte e merituar. Ishte fituesi që dominoi dhe jo humbësi në stadiumin e Korçës, ndërsa Skënderbeu dha një mesazh që pritej, atë të favoritit për titullin kampion. Është shumë shpejt të nxirren përfundime, por mënyra sesa ekipi I drejtuar nga Ilir Daja triumfoi ndaj Partizanit, njërit prej rivalëve kryesorë, ishte e tillë që të bën të mendosh nëse kryeqytetasit do të jenë në gjendje të jenë vërtetë pretendentë. Pas zhgënjimeve radhazi për vite me radhë, pikëpyetjet janë të shumta edhe për projektin “Moxhi e Iuliano”.

Edhe pse miqtë u mbajtën jo keq në pjesën e parë, kur sërish korçarët ishin më mirë, sërish ndryshimi pas pushimit ishte radikal. Një formacion I ndërtuar prej vitesh, me një bosht futbolli që nuk ndryshon edhe kur lëvizin trajnerët, ishte e pamundur të ndalej nga disa futbollistë të talentuar, që janë ende prej pak kohësh bashkë dhe nuk mund të quhen skuadër.

Skënderbeu jo vetëm shënoi dy gola, por edhe goditi dy shtylla, duke pretenduar edhe për penallti. Trajneri Daja duket se e shfrytëzoi më së miri javën e plotë që pati në dispozicion për ta përgatitur sfidën, dhe kjo u duk edhe në formën fizike, por edhe në freskinë psikologjike të të vetëve. Në pritje të konfirmimit të Kukësit të Milinkoviçit, apo të formimit të një kolektivi të vërtetë nga Iuliano, Skënderbeu u duk I frikshëm.

Jo vetëm ka një formacion-bazë të nivelit europian, por edhe rezerva të tilla, ndërsa ende nuk është në nivelin maksimal. Mjaft nga lojtarët e afruar së fundmi, si Sahiti apo Neshpor  do të duan edhe pak kohë për t’u përshtatur plotësisht. Me 7 pikë pas 3 javësh, korçarët kanë 6 pikë largësi nga Partizani, I menduar si rivali I tyre kryesor. Kur me të kuqtë është kjo diferencë, çfarë mund të thuhet për ekipet e tjerë?

Sfidanti.al