Legjenda e gjallë e tenisit, Rozher Federer, ka 12 vite me radhë që është tenisti më i paguar i ATP-së, megjithëse, për shkak të një dëmtimi ai nuk luajti disa muaj në fund të sezonit të kaluar. Ky tenist Zviceran, gjatë periudhës qershor 2016-2017, ka fituar, gjithsej, 64 milionë dollarë që i bie më shumë se çdo tenist tjetër. Në realitet, ky tenist mëse 35-vjeçar, gjatë kësaj periudhe, nuk është shfaqur shpesh në fushat e tenisit, por fitimet e tij janë të mëdha falë kompanive sponsorizuese, nga të cilat ai ka marrë 60 milionë dollarë. Me siguri që llogaria e tij bankare, në fund të sezonit, do të jetë edhe më e “trashë”, pasi janë të sigurt edhe bonuset që ai do të përfitojë, duke qenë se ai ka fituar dy turne Grand Slam gjatë këtij sezoni.
Sa për dijeni, prej një kohe të gjatë, mbas shpinës së tenistit më të mirë të të gjithë kohërave qëndrojnë kompani të mëdha të tilla, si “Uilson”, “Credit Suisse”, “Mercedes”, “Rolex”, Lindt”, “Jura”, Moet & Chandon”, “Sunrise”, “NetJets” dhe “NIKE”, nga të cilat, sikurse bën të ditur revista e specializuar “Forbes”, ai merr nga 10 milionë dollarë për sezon.
Sfidanti.al