Leo feston 600 gola në karrierë, në çdo moshë dhe çdo nivel!

Statistikat e tij llogariten që nga viti 2003. Plot 14 vjet më parë, një adoleshent “taze” 16-vjeçar me emrin Lionel Mesi, nisi të bënte emër në kategorinë e trete me Barcelonën C. Në pak muaj realizoi 5 gola në 10 ndeshje dhe klubi menjëherë e “gradoi” duke e ngjitur tek Barcelona B, në kategorinë e dytë (Segunda Division B). Në një sezon e gjysmë, luajti 22 herë dhe dërgoi topin në rrjetë në 6 raste. Një sezon e gjysmë, veçse, nuk ishte plotësisht në ekipin B, pasi në 2004-2005 u thirr “ushtar” në skuadrën e madhe të të rriturve.

Leo doli përpara 100 000 spektatorëve në “Kamp Nou” kur ende nuk ishte 17 vjeç dhe menjëherë la shenjën. Me dy rrjetat e djeshme ndaj Juventusit, ylli i madh me trup të vogël arriti rrumbullak kuotën e 600 golave në karrierë, në çdo nivel, në çdo moshë, në “tandemin” klub-kombëtare. Ishin 11 golat për Barçën C e B, janë 515 rrjetat për Barcelonën e madhe dhe progresioni do të vazhdojë. Janë 58 golat për kombëtaren e të rriturve të Argjentinës, dhe 74 golat në çdo ekip kombëtar moshash argjentinas (14 tek Argjentina U20, 2 tek Argjentina U23).

Me shifrën 600, Mesi ka shansin të jetë më pranë legjendave si Gerd Myler, Romario apo Pushkash. “Bomberi i Kombit”, Myler, ka 721 gola në karrierë me Bajernin dhe Gjermaninë Perëndimore. Sulmuesi brazilian ka 688 gola me klubet dhe 55 me Brazilin, pra gjithsej 743 rrjeta. Ferenc Pushkash, ndërkaq, ka fiks 700 gola (616 klubet, 84 Hungaria).

Sfida në Champions me Ronaldon, ndërkaq, vazhdon. Mesi ka 96 gola në 116 ndeshje, ndërsa portugezi i Realit ka 106 rrjeta në 146 takime. Leo ka mesatare më të mirë dhe moshë më të re, pra ka shanse për ta mbërritur dhe kaluar, ndonëse një njeri ambicioz si Kristiano do të vazhdojë të luajë sa të ketë frymë për të mbrojtur rekordet e veta.

Sfidanti.al