Paris SG kundër Sëlltikut, ose sa shumë kanë ndryshuar kohët në Champions!

Kur skuadra skoceze e Sëlltikut fitonte Kupën e Kampionëve në 1967, Paris SG (ndoshta) ishte ende në mendjen e një grupi biznesmenësh dhe të mijëra tifozëve që donin që kryeqyteti i Francës të kishte një klub të madh. Kur Sëlltiku arriti përsë dyti herë në finalen e Kupës së Kampionëve në maj 1970, PSG-së i duheshin eende 3 muaj që të “vinte në jetë”. Madje, telashet nuk kishin të mbaruar me bashkime dhe ndarje, derisa përfundimisht u bënë skuadër e Ligës së Parë franceze në 1974 për të mos u rrëzuar më.

Sot, Sëlltiku i famshëm 130-vjeçar, do të vihet përballë një klubi “adoleshent” në moshë si Paris SG, por vetëm ata që e njohin mirë historinë mund ta kenë në mendje diçka të tillë. Për shumicën dërrmuese të tifozëve të futbollit, PSG është ekipi që bëri dy blerjet më të mëdha në histori, Nejmarin me 222 milionë euro dhe Mbapenë me 180 milionë, ndërsa Sëlltiku është kampion i një lige modeste si ajo e Skocisë (e 23-ta në renditjen e UEFA-s).

Tabloidët britanikë e kanë përforcuar edhe më shumë këtë diferencë mes tyre. “Deili Meil” llogarit se PSG ka një skuadër për të cilën u shpenzuan 595 milionë euro për t’u bërë bashkë, ndërsa trajneri i Sëlltikut, Brendan Roxhers, nxorri nga xhepi vetëm 12.5 milionë euro. Blerja më e shtrenjtë e klubit nga Gllazgou ishte rreth 5 milionë euro (Skot Braun nga Hiberniani).

Shumë pra kanë ndryshuar kohët dhe kjo është normale, siç ka qenë gjithnjë. Dikur, nja 2000 vjet më parë, grekët e romakët ishin në majë të botës, ndërsa gjermanët quheshin “barbarët e Veriut” dhe mbanin kaq shumë erë ngaqë nuk laheshin, saqë nuk u rrihej dot pranë. Ashtu si PSG dikur në krahasim me Sëlltikun, veçse edhe Europa ka ndryshuar ashtu si futbolli. Ku janë gjermanët dhe skandinavët dhe ku janë popujt e lashtë të kulturës?!

Sfidanti.al