Konte i shpall luftë Abramoviçit: Nuk fitohen titujt me vetëm 11 futbollistë!

Me 5 ditë që kanë mbetur deri në mbylljen e afatit të transferimeve, Antonio Konte e ka të qartë se bordi i Çelsit nuk është me të. Duket se Roman Abramoviç po godet edhe veten duke mos marrë përforcimet e kërkuara nga trajneri i tij, thjesht dhe vetëm sepse të dy nuk shkojnë aspak mirë. “Ne kemi 7 ndeshje në një muaj në shtator dhe duhen bërë zëvendësime në skuadër, – tha italiani, – shpresoj të mos kem dëmtime nga ndeshjet e kombëtareve, pasi me 11 apo 13 lojtarë nuk përballohen katër kompeticione”. Çelsi vjet doli kampion pa luajtur në Europë, ndërsa tani do të jetë edhe në Premier Ligë, në Champions, në Kupën e Anglisë dhe në Kupën e Ligës.

Është e vërtetë se janë shpenzuar gati 140 milionë euro për të marrë Alvaro Moratën, Timue Bakajokon dhe Antonio Rydigerin, por janë larguar Xhon Terri, Nemanja Matiç dhe Diego Kosta nuk llogaritet. Planet janë për afrimin e Okslejd-Çembërlenit nga Arsenali, të Dani Drinkuoterit nga Leisteri dhe të Ros Barklit nga Evertoni, ndërsa Sedrik Soarez i Sauthemptonit është gjithashtu një mundësi.

Sfidanti.al