Një notar spanjoll fitoi respektin e miliona patriotëve të tij, por edhe shumë njerëzve të tjerë në Europë dhe në të gjithë botën, për veprimin që bëri në Mastersin Botëror në Budapest. Fernando Alvarez kërkoi nga autoritetet që të mbahej një minutë heshtje për viktimat e sulmit të fundit në Barcelonë, por kjo gjë iu refuzua. Edhe pse Federata Botërore nuk lejoi mbajtjen e zisë, notari vendosi ta bënte vetë, në prag të garës së 200 metrave bretkosë.
Notarët e tjerë u hodhën në ujë dhe gara vazhdoi, ndërsa Alvarez, i lindur në Kadiz, qendroi për 1 minutë i heshtur në këmbë. “E fillova garën një minutë pas të tjerëve, por kjo nuk ka rëndësi, – tha ai për mediat spanjolle, – respekti për viktimat ishte më i madh sesa gjithë medaljet e arta të botës. Do të kishte qenë diçka e mirë nëse minuta e heshtjes do të ishte mbajtur nga të gjithë”.
Sfidanti.al