Dy ndeshje të ndara vetëm me një apo dy pikë, dhe dy të tjera me shumë ekuilibër në Euroligën e basketbollit. Patën tepër emocione përballjet e forta në Stamboll, Kaunas, Moskë e Barcelonë, ku dy nga skuadrat mike ia dolën të fitonin. Kampionia e Europës në fuqi, CSKA-ja u vu në provë tepër të vështirë nga Panathinaikosi, madje brenda në Moskë. Vështirë të pritej ndryshe kur këto dy superfuqi janë në formë.
Në parket ishte historia e 13 titujve kampion të Europës, dhe CSKA-ja fitoi 81-77, dhe asnjë skuadër nuk iu shkëput dot tjetrës deri në fund. De Kolo e Voronceviç shënuan nga 20 pikë për vendasit, Nikolls me 20 e Rivers me 16 për miqtë.
Edhe nënkampionia e Europës fitoi. Fenerbahçe tregoi potencialin e saj në “Palau Blaugrana” ndaj Barcelonës vendase në një betejë të vërtetë, që vazhdoi pikë për pikë, dhe u nda 73-72 për turqit e drejtuar nga trajneri më i mirë i kontinentit, Zheljko Obradoviç.
Nëse një formacion turk fitoi, tjetri nuk ia doli. Gallatasaraj u mposht papritur në Stamboll nga Crvena Zvezda. Djemtë nga Beogradi merituan gjithçka, aq më tepër që janë të vetmit në Euroligë që luajnë thuajse 100 për qind me lojtarë vendase. Nga 12 lojtarë në pallatin e sportit të Stambollit, vetëm 1 ishte i huaj. Në një ndeshje me përmbysje, Gallata dominoi periodën e parë, Zvezda iu përgjigj në të dytën dhe ndeshja përfundoi 85-83, me shënuesit më të mirë Ostin Daje të vendasve dhe Marko Simonoviçin e miqve.
Një tjetër fuqi e dikurshme e basketbollit europian, edhe kjo nga Lindja, kujtoi kohët e arta. Zhalgiri mundi Baskonian e Spanjës në Lituani, 78-73. Zhalgiris, ashtu si Zvezda, kishte kryesisht lojtarë vendas, edhe pse shënuesi më i mirë i tij ishte francezi Vesterman.
B. Kuka