Wimbledon, Nadal s’i mbijetoi ‘maratonës’ me Muller dhe kritikon organizatorët

Ishte një maratonë e vërtete ajo që u pa në fushën Nr.1 të Wimbledonit mes Gilles Muller dhe Rafael Nadal dhe fituesi ishte ai që më pak pritej; tenisti nga Luksemburgu. 4 orë e 48 minuta ishte koha e qëndrimit në fushë të dy sportitsëve, nga të cilat 2 orë e 15 minuta u shpenzuan në setin final që do të shkruhet në historinë e këtij turneu. Nadal që u gjend papritur në disavantazhin e 2 seteve, nisi punën për përmbysjen e madhe teksa barazoi shifrat në 2-2, për të tentuar kompletimin e veprës në setin e pestë, por pa ia dalë dot. Muller i rezistoi forcës psikologjike të Nadal që arriti të anulojë deri në 5 match point, por në tentativën e 6 ai e theu spanjollin.

‘E ndjej se humba një rast të mirë edhe pse nuk mund të them se nuk e dhashë maksimumin tim. Më vjen keq sepse doja të fitoja në këtë turne, por nuk dorëzohem-tha Nadal-Luftova deri në pikën e fundit dhe të dy ne kishim mundësitë tona’. Por 31 vjeçari nga Mallorca nuk harroi të lëshojë kritika në drejtim të organizatorëve të turneut. ‘Vitin tjetër dua të luaj më shumë ndeshje në fushën qendrore. E vërteta është se atje luajnë gjithnjë të njëjtët persona-vijoi Nadal-ka shumë lojtarë që kanë fituar shumë në karrierën e tyre dhe që kanë një të kaluar të rëndësishme. Një turne që dëshiron të jetë në të njëjtën linjë me traditën si Wimbledon duhet të bëjë një përcaktim më të mirë të ndeshjeve që luhen në fushën qendrore në mënyrë që në të të mos zbresin të njëjtët persona’.

sfidanti.al