Gjatë një takimi me një seleksion të gazetarëve sportivë, organizuar me qëllimin për të debatuar përfundimin e edicionit të shkuar futbollistik, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha diçka shumë interesante: “Presidentit Takaj nuk ka pse t’i vijë turp që është pjesë e këtij futbolli, pasi në ndeshjen Skënderbeu – Tirana, arbitri favorizoi skuadrën e tij dhe tani Tirana zbriti një kategori më poshtë”. Shefi i institucionit e pranoi në një farë mënyre edhe publikisht, se në atë sezon të stisur, gjithçka që kishte ndodhur e kishte një arsye të vetën. Pra dihej pse kishim një kampion, apo pse 24 herë kampionët e vendit u larguan nga elita. “Nëse më pyesni – vazhdoi atëherë Duka – se me kë do të jem në ndeshjen e fundit, po ju them me viktimën”. Dhe pas disa ditësh, Tirana fiton Kupën e Shqipërisë, pra u plotësua edhe aryeja e fundit, pse ky trofe u bë bardheblu. Dhe reagimi i pjesës më të madhe të asaj salle ishin të qeshura midis servilizmit dhe habisë. për faktin se si ka mundësi që ky burri e gjen gjithmonë me saktësi se çfarë do të ndodhë.
Ndërsa dy ditë më parë, gazetarët u ftuan në Federatë, për të mësuar se pse maqedonasit e kishin spostuar ndeshjen ndaj Kombëtares tonë në Strumicë, apo për t’iu afruar më shumë emrit të pasuesit të De Biazit. Dhe këtë rradhë, sipas kontributit të mediave që përfaqësojnë ishin ndarë në kategori, si në një kampionat futbolli. Më indiferentët në fushatën lajkatare ndaj bosit i futën tek zyra e Denis Bastarit, ata që duhet të bëjnë shumë më tepër përpjekje, për t’u bërë pjesë e historisë së dashurisë, tek Ilir Shulku, ndërsa ata që është ngjirur duke thirrur për kampionatin më të bukur në Ballkan e më gjerë, u pritën nga vetë komandanti. Ndërsa në mbrëmje mund të shihje në stacione të ndryshme televizive, jo më vetëm atë burrin, por tre burra që ishin në një sinkron perfekt gjatë prononcimeve të tyre, si të ishin mjeshtra të isos në një grup polifonik, pasi dukej qartë, që përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve ishin shkruar vetëm nga njëri prej burrave.