Ed Uajtloku është 85 vjeç, por ai ka një dëshirë rinore për suksese të reja. Ky maratonist legjendar, në dhjetëvjeçarin e nëntë të jetës së tij, e përshkoi distancën e maratonës së plotë, në Toronto (Kanada), në më pak se katër orë, duke vendosur kështu një rekord të ri botëror në kategorinë e moshës së tij, ndërsa bëri shaka edhe në kurriz të vetes së tij. “Ka shumë njerëz në këtë botë, por ka pak idiotë që në moshën 85 vjeç vrapojnë në garën e maratonës”, tha duke qeshur Uajtloku pas garës së gjatë cfilitëse në Toronto. Ky maratonist britanik që jeton në Kanada, e përshkoi maratonën në fjalë brenda kohës 3 orë e 56 minuta që përbën një rekord të ri botëror në kategorinë e moshës së tij. Uajtloku mban rekordin botëror edhe në garën e gjysmëmaratonës për moshën e tij që e vendosi në prill të këtij viti. Duke marrë pjesë në maratonën e Torontos, Uajtloku, 85 vjeç, tregoi edhe një herë tjerë se kurrë nuk është vonë për të vrapuar dhe se rekordi botëror mund të thyhet edhe duke vrapuar me atlete të vjetra!. “Nuk e mbaj mend se kur i kam veshur për herë të parë këto atlete, por e di që i mbaj të veshura ato prej më shumë se 20 vitesh, pra koha e konsumit të tyre ka kaluar qyshkur”, tha Uajtloku, duke qeshur dhe duke paralajmëruar se ai do të marrë pjesë edhe në të ardhmen në garat e maratonës.