Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin brazilian, pasi sulmuesi i Vasco da Gamës, David Corrêa, është arrestuar nga policia gjatë një seance stërvitore me skuadrën. Futbollisti 31-vjeçar u shoqërua nga forcat e rendit direkt nga qendra stërvitore e klubit në Rio de Janeiro, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet gjyqësore.
Sipas mediave braziliane, emri i tij është përfshirë në një hetim të gjerë që lidhet me dyshime për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge dhe armësh, si dhe tentativa për të ndikuar në dëshmitë e personave të përfshirë në çështje. Dyshimet ndaj futbollistit ishin bërë publike edhe më herët, ndërsa arrestimi i fundit përbën një zhvillim të ri në këtë çështje.

