Kritika të ashpra ndaj Ronaldos në Arabinë Saudite

Cristiano Ronaldo është sërish në qendër të kritikave në Arabinë Saudite. Pas humbjes 3-1 të Al Nassr-it ndaj rivalëve të Al Ahli-t, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit, ish-futbollisti i klubit saudit, Hussein Abdulghani, ka bërë deklarata të forta ndaj yllit portugez.

Ronaldo shënoi golin e vetëm të Al Nassr-it në këtë takim, por më pas humbi edhe një penallti. Kjo u bë shkak për kritikat e Abdulghani-t, i cili luajti për Al Nassr-in nga viti 2009 deri në 2017 dhe ka përfaqësuar edhe Al Ahli-n. Në një emision në televizionin MBC1, ish-mbrojtësi vuri në pikëpyetje kontributin aktual të portugezit në skuadër.

“Të gjithë e dinë se cili është problemi i Al Nassr-it, por bëjnë sikur nuk e shohin. Askush nuk e vë në dyshim se Ronaldo ka qenë një futbollist i madh, por pyetja është nëse ai është ende i dobishëm për ekipin, veçanërisht në ndeshjet e vështira”, u shpreh Abdulghani. Ai theksoi se detyra e një sulmuesi nuk kufizohet vetëm te shënimi i golave, duke shtuar se skuadra ka nevojë për një lojtar që mund të bëjë diferencën edhe në aspektin individual.

“Ronaldo është një futbollist i madh, por tashmë nuk arrin të bëjë diferencën. Al Nassr ka nevojë për një sulmues që ofron zgjidhje individuale dhe jo për dikë që qëndron në fushë vetëm për të plotësuar 90 minutat”, deklaroi ai. Abdulghani komentoi edhe objektivin historik të Ronaldos për të arritur 1000 gola në karrierë. Portugezi ka realizuar 986 gola dhe i duhen edhe 14 për të prekur këtë shifër.

“Tifozët e Al Nassr po luten që Ronaldo të shënojë golin e 1000-të dhe kjo histori të marrë fund një herë e mirë”, tha ish-futbollisti saudit.

Ndryshe mendon Mohammed Noor, ish-mesfushor i Al Nassr-it dhe Al Ittihadit, i cili theksoi se arritja e kësaj shifre do ta lidhë përgjithmonë emrin e klubit me një moment historik të futbollit botëror. Megjithatë, Abdulghani këmbënguli në kritikat e tij, duke theksuar se ato nuk lidhen vetëm me humbjen ndaj Al Ahli-t, por me paraqitjet e Ronaldos gjatë gjithë sezonit.