Në ndeshjen e së premtes në shtëpi kundër Këlnit, Bayerni humbi të dy yjet e repartit ofensiv, Harry Kane dhe Majkëll Olise. Ndryshe nga rasti i Kane, dëmtimi i anësorit francez u përjashtua shpejt si një shqetësim serioz. Megjithatë, duket se gjendja e tij nuk është edhe aq e lehtë. Sipas gazetës, Bild“, Olise iu desh të përdorte ende paterica të shtunën, për të lehtësuar ngarkesën mbi këmbën e dëmtuar. Gjithashtu, 24 vjeçarit iu rekomandua një këpucë e posaçme pas goditjes së marrë.
Anësori i djathtë ka tashmë takime të përditshme me mjekët dhe fizioterapistët në qendrën stërvitore të Bayernit, në Zebener Shtrase, me synimin për tu rikthyer sa më shpejt në fushë. Megjithatë, sipas „Bild“, ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampionëve kundër Lilës pritet të vijë shumë shpejt për të. Presidenti Herbert Hainer kishte dhënë sinjale të ngjashme edhe gjatë mbledhjes së përgjithshme vjetore të Bajernit, të shtunën.
“Ai nuk do të mungoj për shumë kohë. Ndeshja në Ligën e Kampionëve ndoshta është e përjashtuar, por ndoshta mund të rikthehet në Hamburg“, u shpreh Hainer lidhur me rikthimin e mundshëm të Olise. Francezi u përplas me një lojtar të Këlnit në momentin e goditjes drejt portës, pak para përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes të së premtes.
Pas incidentit, atij iu dha ndihma mjekësore për pak çaste. Megjithatë, anësori qëndroi në fushë edhe gjatë dhjetë minutave të fundit të pjesës së parë. Situata ishte shumë më e rëndë për sulmuesin Harry Kane në përballjen me Këlnin. Golashënuesi u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 20 minutash lojë, pasi u godit rëndë në këmbë nga Xhoel Shmid gjatë një tentative për të goditur drejt portës.
Si pasojë e kësaj goditjeje të fortë, futbollisti i shpallur më i miri në botë pësoi një këputje të ligamentit sindezmotik. Sipas raportimeve të mediave, ai pritet të qëndrojë jashtë fushave për tre deri në katër muaj.

