Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas barazimit 0-0 ndaj Izraelit, duke theksuar se objektivi i vetëm në përballjen e radhës me Irlandën është marrja e tri pikëve. Pavarësisht se luajtën me një futbollist më pak, “Dardanët” nuk arritën të gjenin golin në Prishtinë, duke u detyruar të kënaqeshin me një pikë. Në një prononcim pas ndeshjes, Asllani u shpreh se skuadrës i mungoi pasimi i fundit për të krijuar raste më të rrezikshme përpara portës kundërshtare.
“Besoj që të gjithë kemi dashur të marrim tre pikë. Nuk shkoi ashtu. Jemi të dëshpëruar që nuk kemi mundur ta fitojmë lojën, por pas dy ditëve na pret loja me Irlandën”, deklaroi sulmuesi. Më tej, ai e cilësoi sfidën si të vështirë, duke theksuar se të dyja skuadrat patën pak mundësi për të shënuar. “Lojë e vështirë, të dy ekipet nuk kanë pasur shumë mundësi për gol. Ai topi i fundit para goditjes na ka munguar”, u shpreh Asllani.
Sulmuesi foli edhe për vështirësitë që shoqërojnë ndeshjet ndërkombëtare, duke nënvizuar se çdo kundërshtar luan me përkushtim maksimal për vendin e tij. Sa i përket përballjes së ardhshme me Irlandën, mesazhi i tij ishte i qartë: Kosova kërkon fitoren. “Çka synoni me Irlandën? Tri pikë. Duam ta fitojmë lojën, pastaj se ku mbesim në tabelë do t’ia lëmë kohës”, përfundoi Asllani. Kosova ka grumbulluar deri tani gjashtë pikë në Grupin B3 dhe pas tri ditësh do të ketë një tjetër mundësi për t’u rikthyer te fitorja, sërish në Prishtinë, përballë Irlandës.

