Një deklaratë e Uli Hënes ka ngritur shqetësime të reja për të ardhmen sportive të Jamal Musialës. Presidenti i nderit i Bayern Munichut ka folur hapur për problemet shëndetësore të yllit gjerman, duke pranuar se ende nuk ka siguri nëse mesfushori do të arrijë të rikthehet në nivelin që kishte përpara sëmundjes.
Gjatë një daljeje në emisionin televiziv “Sonntags-Stammtisch”, Hënes pranoi se klubi po përballet me një situatë të vështirë, pasi problemi neurologjik nga i cili vuan futbollisti nuk është lehtësisht i trajtueshëm. “Jemi përballë një dileme me të. Ai vuan nga një sëmundje që nuk mund të trajtohet lehtësisht, por që mund të mbahet deri diku nën kontroll me medikamente. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të arrijë ndonjëherë të rikthehet në nivelin e paraqitjeve që kishte më parë”, deklaroi Hënes.
Vetë Musiala kishte zbuluar gushtin e kaluar se përjetonte episode të shkurtra dhe të përkohshme të humbjes së vetëdijes, të lidhura me një çrregullim neurologjik. Në atë kohë, ai bëri të ditur se problemi ishte i trajtueshëm, se po ndiqte një trajtim të specializuar dhe se kishte marrë miratimin e mjekëve për të vijuar karrierën futbollistike.
Shqetësimet për gjendjen e tij u shtuan pas dy episodeve të kolapsit gjatë ndeshjeve miqësore këtë verë. Ndërkohë, raportimet nga Gjermania bëjnë me dije se lojtari ka pasur edhe ndryshime në medikamentet që po merr. Megjithatë, Musiala nuk ka dhënë detaje të tjera rreth natyrës së problemit shëndetësor.

