Rikthimi i Vinicius Junior në dispozicion të Jose Mourinhos krijon një dilemë të re për trajnerin portugez. Sulmuesi brazilian ka shlyer pezullimin prej katër ndeshjesh dhe mund të rikthehet në fushë, por këtë herë e pret një Real Madrid që ka gjetur ritmin dhe një identitet të qartë loje edhe pa praninë e tij.
Skuadra madrilene ka regjistruar tetë fitore radhazi, duke krijuar një mekanizëm funksional që Mourinho nuk dëshiron ta prishë. Çështja kryesore është se si do të integrohet Vinicius pa cenuar ekuilibrat që kanë sjellë rezultatet pozitive.
“Vinicius është një futbollist që nuk mund të lihet jashtë. Për mua, zgjidhja është të luajë si numër nëntë, në vend të Mbappe-së”, u shpreh Cañizares.
Megjithatë, ish-portieri paralajmëroi se aktivizimi i të dyve njëkohësisht mund të ndryshojë identitetin e skuadrës. Sipas tij, Real Madridi mund të vazhdojë të fitojë, por rrezikon të humbasë një pjesë të ekuilibrit dhe harmonisë së krijuar gjatë javëve të fundit.
Gjatë mungesës së Viniciusit, futbollistë si Diomande dhe Arda Guler kanë fituar më shumë hapësira në krahë, ndërsa Jude Bellingham dhe mesfushorët e tjerë kanë konsoliduar një lojë ku sakrifica dhe angazhimi kolektiv kanë marrë rëndësi të veçantë.
Pikërisht këtu qëndron edhe një nga shqetësimet kryesore të Mourinhos. Trajneri portugez e ka bërë të qartë se asnjë futbollist nuk mund të vendoset mbi interesat e skuadrës.
“Për mua, gjëja më e rëndësishme është ekipi. Nuk do ta dëmtoj kurrë skuadrën për të favorizuar një lojtar”, është shprehur Mourinho.
Në analizën e tij, Cañizares veçoi edhe rolin e Bellinghamit, duke theksuar se mesfushori anglez është një nga lojtarët që kërkon angazhim maksimal nga të gjithë shokët e skuadrës.
“Bellingham është një futbollist shumë bujar në fushë. Kur sheh se dikush përpiqet t’i shmanget përgjegjësive dhe nuk jep maksimumin, kjo e irriton. Kjo vërehet më shumë tek ai”, shpjegoi ish-portieri.
Sipas Cañizares, sfida e vërtetë e Mourinhos nuk është thjesht të gjejë një pozicion për Vinicius, por ta bëjë brazilianin pjesë të filozofisë kolektive dhe ta bindë të kontribuojë me të njëjtin intensitet si pjesa tjetër e skuadrës.
“Nëse arrin ta bëjë Viniciusin të vrapojë dhe ta integrojë në dinamikën e ekipit, atëherë meriton vetëm duartrokitje”, përfundoi ai.

