Pa dyshim është talenti më i madh i portës italiane që kur në skenë doli Xhanluixhi Bufon. Xhixho Donaruma, madje është bërë i rëndësishëm përpara portierit titullar të Italisë së sotme, ndërsa Juventusi po bën llogaritë për të. Bepe Marota, drejtori sportiv bardhezi, nuk e fshehu interesimin për 18-vjeçarin e Milanit, duke thënë se “ne e kemi për detyrë të interesohemi për çfarëdo mundësie që del në treg, pra edhe për Donarumën”.
Gjithsesi, Juventusi thotë se nuk është i bindur ende plotësisht se çfarë duhet të bëjë, të provojë ta marrë apo jo, portierin kuqezi. Marota e thotë thjesht duke u shprehur se “është e qartë që ai është një talent, por ne duhet të kuptojmë nëse është gjithashtu edhe një kampion”. Këto fjalë, ndoshta, thuhen edhe për taktikë, që të ketë një çmim më të ulët, ndërsa interes për Donarumën kanë edhe Paris SG apo Reali.
Nuk dihet sesa mund të kërkojë Milani për numrin 1 të portës, por fakti që kontrata përfundon vitin e ardhshëm ia ul mundësinë për të rezistuar. Marota madje nuk harron të thotë se “ndjej simpati për pozicionin e Milanit, sot është e vështirë që klubet të kenë sukses në kushte të tilla”.
Sfidanti.al