Carlos Alcaraz vazhdon dominimin në turnetë e mëdhenj të tenisit. Spanjolli ka fituar “Rolex Paris Masters”, turneun e fundit të kategorisë ATP Masters 1000 për këtë sezon, pasi mposhti në finale amerikanin Ben Shelton.
Numri 3 i botës triumfoi me rezultatin 7-6 (5), 7-5, në një finale që zgjati pak më pak se dy orë në “La Défense Arena” të Parisit. Alcaraz konfirmoi edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon, duke regjistruar suksesin e dytë radhazi në turne të rëndësishëm, pas triumfit të javës së kaluar në Vjenë.
Për tenistin spanjoll ky është titulli i 29-të në karrierë dhe i pesti gjatë vitit 2026. Përpara Parisit, Alcaraz kishte fituar edhe Australian Open, turneun e Dohas, atë të Tokios dhe së fundmi trofeun në Vjenë.
Në finalen ndaj Shelton, numrit 4 të renditjes botërore, spanjolli tregoi qetësi dhe maturi në momentet vendimtare. Seti i parë u vendos në ‘tie-break’, ku Alcaraz fitoi 7-5, ndërsa në të dytin arriti të bëjë diferencën me rezultatin 7-5. Një tjetër trofe për Alcaraz, i cili e mbyll sezonin e turneve Masters 1000 me një paraqitje bindëse në kryeqytetin francez.

