Lewandowski, ende i zhgënjyer për ‘Topin e Artë’ të vitit 2020

Robert Lewandowski nuk e ka harruar dhe as nuk e ka kapërcyer zhgënjimin për anulimin e ceremonisë së “Topit të Artë” në vitin 2020. Këtë e ka zbuluar Pascal Ferré, ish-drejtuesi i revistës “France Football”, i cili në atë kohë ishte përgjegjës për organizimin e çmimit prestigjioz.

Në një intervistë për “Le Vestiaire”, Ferré e cilësoi anulimin e edicionit të vitit 2020 si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Vendimi erdhi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ndërprerjeve të shumta të futbollit, që sipas organizatorëve nuk garantonin kushte të barabarta për vlerësimin e kandidatëve.

“Momenti më i vështirë ishte padyshim viti 2020, kur u detyruam të anulonim ‘Topin e Artë’. Mendonim se nuk ishin krijuar kushtet e nevojshme për një vlerësim të drejtë”, tregoi Ferré.
Ai zbuloi se kishte marrë përsipër t’ia komunikonte personalisht lajmin sulmuesit polak, i cili në atë periudhë po kalonte një formë të jashtëzakonshme me Bayern Munich.

“E telefonova, sepse po dominonte futbollin europian, por ai nuk arriti ta kuptonte plotësisht vendimin tonë. Edhe në vitet pasuese, sa herë që takoheshim, më thoshte: Ja ku është njeriu që nuk deshi kurrë të ma jepte një ‘Top të Artë’”, rrëfeu ish-drejtuesi i “France Football”.