Publikimi i detajeve të votimit për Topin e Artë 2026 ka zbuluar disa zgjedhje interesante nga juritë e vendeve të ndryshme. Harry Kane triumfoi ndaj Kylian Mbappé-së me vetëm 28 pikë diferencë, por rezultatet tregojnë se preferencat e gazetarëve kanë qenë mjaft të ndryshme nga një shtet në tjetrin.
Sulmuesi i Bayernit u rendit i pari nga 40 gazetarë, ndërsa Mbappé mori votën maksimale nga 23 prej tyre. Lamine Yamal, i cili përfundoi në vendin e tretë me 881 pikë, u zgjodh si më i miri nga 13 anëtarë të jurisë. Një prej surprizave lidhet me Fabián Ruiz, i cili u rendit në vendin e dhjetë në klasifikimin përfundimtar, por u votua në vendin e parë nga Siria, Ukraina, Gaboni dhe Peruja.
Edhe Rodri pati mbështetje të konsiderueshme. Mesfushori spanjoll u zgjodh lojtari më i mirë nga dhjetë vende: Nigeria, Shtetet e Bashkuara, Guatemala, Koreja e Jugut, Çekia, Serbia, Tajlanda, Vietnami, Kroacia dhe Islanda.
Lionel Messi, i cili përfundoi në vendin e pestë, mori pikët maksimale nga Brazili, Argjentina, Panamaja, Bjellorusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina. Vëmendje të veçantë tërhoqi votimi i kësaj të fundit, e cila e renditi Mbappé-në vetëm në vendin e pestë, në një periudhë kur sulmuesi francez është përfshirë në polemika për deklaratat e tij rreth Mao Ce Dunit.
Mbappé nuk u përfshi në dhjetëshen më të mirë nga Greqia, Skocia dhe Ukraina. Ndërkohë, Yamal u la jashtë këtij grupi nga Bjellorusia, Kameruni, Kroacia dhe Greqia.
Një tjetër fakt interesant është se Ousmane Dembélé, fituesi në fuqi i Topit të Artë, nuk u zgjodh në vendin e parë nga asnjë shtet. Sulmuesi i PSG-së, që përfundoi i shtati, u rendit i dyti nga Burkina Faso, Kina, Franca, Gjeorgjia, Haiti, Maqedonia e Veriut dhe Nigeria.
As Erling Haaland nuk mori votën maksimale nga ndonjë vend. Norvegjia, Irlanda e Veriut dhe Kroacia e renditën atë në vendin e dytë. Në votimin e Marokut, gazetari vendas vendosi bashkëkombësin Achraf Hakimi në vendin e parë, ndërsa Yamal në të tretin. Ndërsa Cubarsí u rendit i dyti në votimet e Xhamajkës dhe Zvicrës.
Me vetëm 28 pikë diferencë mes Kane dhe Mbappé-së, Topi i Artë 2026 u vendos në një nga garat më të ngushta në historinë e çmimit. Kjo ishte diferenca e katërt më e vogël e regjistruar ndonjëherë, më e ulët edhe se ajo e vitit 2024, kur Rodri fitoi ndaj Vinicius me 71 pikë avantazh.

