Maran ndjek nga afër 3 ndeshje të kampionatit

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ka vijuar turin e tij të monitorimit të ndeshjeve të kampionatit Abissnet Superiore. I shoqëruar nga ndihmësit e tij, Christian Maraner dhe Ervin Bulku, tekniku kuqezi ka ndjekur fillimisht të mërkurën sfidën hapëse të javës së 9-të, Vora-Vllaznia.

Italiani ka vazhduar më pas me Tirana-Dinamo të enjten në “Niko Dovana” të Durrësit dhe për ta mbyllur turin e tij me ndeshjen Egnatia-Teuta, që u luajt dje pasdite në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës.

Siç kishte deklaruar qysh në momentin e nënshkrimit të kontratës me FSHF-në në muajin maj, Maran vazhdon të vëzhgojë nga afër ndeshjet e kampionatit dhe të monitorojë paraqitjet e lojtarëve që janë ose mund të jenë kandidatë potencialë për Kombëtaren shqiptare. Gjithashtu, trajneri kuqezi ka vizituar më parë edhe disa skuadra të kampionatit gjatë procesit stërvitor, duke monitoruar mënyrën se si punohet dhe ka pasur mundësinë të flasë nga afër edhe me teknikët e klubeve shqiptare.