Real Madridi dhe Barcelona kanë shprehur ngushëllimet e tyre pas aksidentit të rëndë hekurudhor që ndodhi në provincën e Toledos, në Spanjë, ku dy trena u përplasën mëngjesin e së mërkurës.
Dy gjigantët e futbollit spanjoll publikuan mesazhe solidariteti për familjet e viktimave, të lënduarit dhe të gjithë personat e prekur nga kjo tragjedi. Përmes një komunikate zyrtare, Real Madridi shprehu pikëllimin e thellë për aksidentin dhe u solidarizua me familjet që humbën të afërmit e tyre, shkruan “Goal.com”.
Klubi madrilen u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave, ndërsa shprehu mbështetjen për të lënduarit dhe të gjithë ata që u prekën nga kjo ngjarje tragjike. Gjithashtu, Real Madridi vlerësoi punën e ekipeve të emergjencës dhe të personelit që po angazhohet në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës për të prekurit.
Edhe Barcelona e shpreh solidaritetin
Edhe Barcelona reagoi pas aksidentit, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për viktimat dhe duke u qëndruar pranë familjeve të tyre. Klubi katalanas uroi gjithashtu shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit dhe shprehu solidaritetin me familjarët dhe të afërmit e tyre. Aksidenti ndodhi në zonën e Urda-s, në provincën e Toledos, ku u përplasën dy trena pasagjerësh. Autoritetet dhe ekipet e emergjencës u angazhuan në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të prekurve.
Në një moment të tillë zie, rivaliteti sportiv mes Real Madridit dhe Barcelonës mbetet në plan të dytë, ndërsa të dy klubet bashkohen në mesazhet e ngushëllimit dhe solidaritetit për të prekurit nga tragjedia.

