Grupi INEOS, i drejtuar nga Sir Jim Ratcliffe, po redukton gradualisht investimet e tij në sport. Kompania britanike ka vendosur të nxjerrë në shitje klubin zviceran Lozana, duke shtuar një tjetër emër në listën e aseteve sportive nga të cilat synon të tërhiqet. Sipas raportimit të The Athletic, INEOS ia ka besuar procesin e shitjes kompanisë konsulente ndërkombëtare Alvarez & Marsal, e cila u ka dërguar blerësve të mundshëm një dokument informues prej pesë faqesh, të titulluar “Project Striker”. Dokumenti vë në pah infrastrukturën moderne të klubit dhe mundësitë për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Megjithatë, sipas raportimit, ai nuk përmend humbjet financiare të Lozanës dhe as faktin se skuadra renditet aktualisht në vendin e fundit të Superligës zvicerane.
Vendimi për shitjen e Lozanës vjen menjëherë pas atij për të nxjerrë në treg edhe Nice, klub që militon në elitën e futbollit francez. Këto lëvizje sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e INEOS, e cila duket se po tërhiqet nga ambiciet për të ndërtuar një rrjet të gjerë klubesh sportive. Grupi britanik po përballet me presione financiare në rritje, ndërsa modeli i investimeve në disa klube po kalon një periudhë të vështirë rishikimi. Në këtë kontekst, vëmendja përqendrohet edhe te Manchester United, ku INEOS ka kontrollin e drejtimit sportiv. Rezultatet zhgënjyese të “Djajve të Kuq” kanë shtuar kritikat ndaj mënyrës se si është organizuar klubi dhe ndaj strategjisë së ndjekur nga drejtuesit.
Shitja e Lozanës dhe nxjerrja në treg e Nice tregojnë se prioritetet e INEOS në sport po ndryshojnë, në një moment kur edhe projekti i Manchester United vazhdon të jetë nën vëzhgim të fortë.

