Flick: Për momentin, Lamine Yamal është lojtari më i mirë në botë

Hansi Flick ka bërë një deklaratë të bujshme për Lamine Yamal, duke lënë të kuptohet se adoleshenti tashmë është ngjitur në fronin e futbollit botëror. Pas fitores bindëse 5-2 të Barcelonës ndaj Real Betisit, trajneri gjerman mbeti i mahnitur nga kontributi vendimtar i talentit të ri. Flick nuk i kurseu lëvdatat për Lamine Yamalin pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në fitoren 5-2 ndaj Real Betisit në “La Cartuja”.

Trajneri gjerman, i cili gjatë karrierës së tij te Bayern Munich dhe kombëtarja e Gjermanisë ka parë shumë talente të nivelit botëror, sugjeroi se 19-vjeçari tashmë i ka kaluar bashkëmoshatarët e tij për t’u bërë figura kryesore e futbollit.

Deklarata e Flickut erdhi pasi Yamali udhëhoqi një paraqitje dominuese në sulm, duke e mbajtur Barcelonën fuqishëm në krye të tabelës së La Ligës.

“Kur e sheh golin e parë që shënoi, është e pabesueshme; për momentin, ai është lojtari më i mirë në botë”, u tha Flick gazetarëve në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjen e tij dhe kjo është ajo që dua të them. Sigurisht, ai ka presion, është 19 vjeç dhe ka luajtur në çdo ndeshje, por është 100 për qind i përqendruar dhe i përkushtuar. Ai është shumë i mirë, paraqitja e tij ishte e jashtëzakonshme, po ashtu edhe qëndrimi i tij, dhe kështu janë lojtarët e mëdhenj”, shtoi ai.