Trajner dhe drejtues shoqate, ndodh vetëm në Shqipëri!

A mundet që trajneri i Kombëtares Shqiptare të Femrave të drejtojë edhe një zyrë të varur (edhe pse jo drejtpërdrejt) nga institucioni që e emëron? Është e mundur… në Shqipëri. Armir Grima, trajner i Kombëtares së Femrave, është zgjedhur kryetari i ri i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ajo shoqatë që, kur vjen puna te votimet në Asamblenë e FSHF-së, e mban dorën në allçi. Sipas komunikatës, “Grima u votua nga 20 anëtarët me të drejtë vote, duke marrë drejtimin e shoqatës për të vijuar punën për zhvillimin e futbollit në rajonin e Shkodrës”.

Fjala kyçe është “zhvillimi”. Zhvillim që në letrat e kopsitura po na bind e stërbind, por në realitet ecën me hapat e breshkës e ndonjëherë edhe të kërmillit.

Fitorja plebishitare e Grimës nuk bën asgjë tjetër veçse na tregon edhe më qartësisht rrethin e mbyllur të futbollit shqiptar, mënyrën se si menaxhohet dhe rrugën që duhet të ndjekë dikush për t’u futur e për të mos dalë më nga zona e komfortit që të siguron një vend pune të garantuar.

Me siguri, Grima, si drejtues i kësaj shoqate, në të ardhmen, ashtu siç ka treguar me devotshmëri edhe në të kaluarën, do ta betonojë dorën kur të vijë fjala për propozime apo ndryshime në statut apo ligjet e futbollit, sepse rrugë tjetër nuk ka.

Të kuptohemi, në këtë mes FSHF-ja nuk ka asnjë faj, sepse ligjërisht mjeshtërit e lojës janë treguar të vëmendshëm kur vjen puna te kopsitja e letrave, por pyetja e madhe është: Mos vallë Armir Grima duhet të largohet nga stoli i Kombëtares që përfaqëson vendin për shkak të konfliktit të hapur të interesit moral?

Pirro Bardhyli