Ramon Vega sfidon Infantino-n në zgjedhjet e FIFA-s

Tashmë kemi një kandidat rival të Infantino-s për zgjedhjet e kreut të FIFA-s. Ramon Vega, 55 vjeç, ish-mbrojtës i Zvicrës, Cagliari-t dhe Tottenham-it, ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet për presidencën e FIFA-s, që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Që nga tërheqja nga futbolli i luajtur në vitin 2004, Vega punon në sektorin financiar. “Do të kandidoj për të ribashkuar familjen e futbollit botëror, për të bërë reformat që duhen dhe për të modernizuar FIFA-n. Dua të rikthej stabilitetin dhe besueshmërinë, për të cilat sporti ynë ka nevojë urgjente”, – ka deklaruar Vega.

Vega e provoi për herë të parë në 2015-ën, pas pezullimit të ish-presidentit Sepp Blatter. Katër vjet më pas tentoi të sfidonte Infantino-n, por nuk mundi të siguronte mbështetjen e duhur për të qenë në listën e kandidatëve. Nuk arriti kuotën e e kërkuar prej 5 federatash nga 211 në total.

“Kandidoj sepse jeta më ka përgatitur t’i shërbej këtij sporti. Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave, apo drejtuesve. Futbolli u përket të gjithëve: lojtarëve, trajnerëve, arbitrave, tifozëve, klubeve, ligave, shoqatave dhe komunitetit. Drejtuesit e tanishëm e kanë demoralizuar botën e futbollit.

Një qeverisje e dobët ka kompromentuar besueshmërinë e FIFA-s, ka zbehur besimin e gjithë familjes futbollistike globale. Duhet ta ndalim këtë konflikt para se të degjenerojë. Nuk duhet lejuar kurrë që lufta e pushtetit mes krerëve të dëmtojë lojtarët, trajnerët e tifozët. Ata nuk janë përgjegjës për këtë konflikt. Meritojnë më të mirën. Futbolli është në reanimacion, i lidhur me aparaturat e mbijetesës”, – shtoi Vega.