Scaloni për epokën pas Messit: Nuk do të ketë më kurrë dikë si ai

Argjentina e mbylli me fitore miqësoren ndaj Beninit, 3-0, por pas ndeshjes vëmendja u përqendrua te një temë shumë më e madhe: si do të jetë kombëtarja argjentinase pa Lionel Messin.

Trajneri Lionel Scaloni foli hapur për fundin e një epoke dhe pranoi se largimi i kapitenit legjendar do të lërë një boshllëk që nuk mund të zëvendësohet lehtësisht. “Trashëgimia që ai lë është e jashtëzakonshme. Nuk do të ketë më kurrë dikë si ai në fushë dhe për këtë do t’i jemi gjithmonë mirënjohës”, deklaroi Scaloni.

Tekniku i Argjentinës pranoi se skuadrën e presin sfida të reja dhe se periudha pas Messit mund të jetë e vështirë. “Do të jetë e vështirë, këtë e tha edhe vetë ai. Ajo që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve nuk është diçka e zakonshme. Mund të na presin momente të vështira, por jemi gati t’i përballojmë me lojtarët e rinj dhe me talentet që po vijnë”, u shpreh ai.

Scaloni theksoi se ndikimi i Messit nuk lidhet vetëm me atë që bën në fushën e lojës, por edhe me ndjesinë që përcjell te shokët e skuadrës. “Të kesh Messin pranë është një ndjesi e pashoqe. Është shumë e vështirë ta krahasosh me diçka tjetër apo t’ua shpjegosh të tjerëve. Duhet ta përjetosh vetë. Është diçka unike, pavarësisht se si do ta rindërtojmë skuadrën”, tha trajneri argjentinas.